Projekti “Time Capsule” nga Capital T nisi si një bisedë shoqërore mes miqsh, një stilolapsi dhe një letre.
Sa më shumë diskutohej, aq më shumë pasurohej me detajet më krijuese dhe të çmendura nga stafi i tij i ngushtë dhe vetë artisti.
Më 20 shtator 2019, ai u bë realitet identik siç ish imagjinuar, ku rreth 7000+ persona, edhe më shumë seç pritej, për pak çaste harruan që ndodheshin në qendër të Tiranës, pasi u transportuan në kapsulën e kohës së Capital T. Grupmosha të ndryshme, përfshirë dhe ata me nevoja speciale, u vendosën aty ku ndiheshin më mirë, dhe në hyrje u pajisën me byrzylykë PIXMOB që ndriçohen me komandë qëndrore, një risi që ende nuk kish ardhur në Ballkan, por është parë vetëm në koncertet e Coldplay apo Taylor Swift.