“Hapësira e një ëndrre” ishte e para ëndërr e realizuar, që 15 vite më parë e bëri Alban Skënderajn pjesë të muzikës shqiptare. Sa shumë ëndrra do të pasonin me radhë, prandaj ia vlente që pas kaq vitesh të realizohej një koncert që përmblidhte të gjithë pasurinë artistike të Albanit. Madje aq shumë i dëshiruar ishte koncerti “Hapësira e një ëndrre”, sa brenda një ore arritën të shiteshin të gjitha biletat dhe të shtoheshin dhe dy netë të tjera live. Pavarësisht se çdo këngë ishte sjellë në një version të ri, me ndihmën e orkestrës simfonike të RTSH-së, publiku arriti që thjesht nga fraza e parë të kuptonte se për cilën këngë bëhej fjalë. Aq më tepër që këngët e Albanit janë të thjeshta, sepse duket sikur të lexojnë çdo emocion që mban brenda shpirtit. Ky projekt shërbeu si një model për të gjithë artistët e rinj, që me punë, sakrifica dhe shumë përkushtim mund të jesh i suksesshëm pa kushte.